Në prani të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, dhe Ambasadores së Zvicrës, u nënshkruan 12 marrëveshje grantesh me 12 bashki, në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Askush Të Mos Mbetet Pas – LNB2”, i cili financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. BAshkia Devoll eshte nje nder perftueset e ketyre granteve.
Këto grante do të përdoren për të themeluar dhe nxitur shërbime të reja të kujdesit social në nivel lokal, në përputhje me Ligjin 121/2016, duke zbatuar projekte inovative sipas Planit Social të bashkive. Projektet e propozuara nga bashkitë variojnë nga shërbimet për fëmijët me aftësi të kufizuara, deri tek mbështetja për të moshuarit.
Financuar nga Swiss Development & Cooperation Embassy of Switzerland in Albania, programi #LNB2 mbështet zotimin e Qeverisë Shqiptare për përmirësimin e sistemit të shërbimeve sociale të vendit.
Fokusi kryesor i projektit është të sigurojë që individët dhe grupet vulnerabël, të kenë qasje të përmirësuar në shërbimet publike që mbrojnë të drejtat e tyre sociale, të promovojë përfshirjen sociale, të forcojë mirëqenien dhe t’i fuqizojë ata të marrin pjesë aktivisht në proceset e vendimmarrjes së politikave publike që ndikojnë në jetën e tyre.